Prej vitit 2016, kompania DiaVita sh.p.k, në partneritet me Ministrinë e Shëndetësisë, ofron shërbimin e hemodializës në rrethet Shkodër, Lezhë, Vlorë, Korçë dhe Elbasan. 

Aktualisht, pranë Qendrave të Hemodializës të menaxhuara nga DiaVita sh.p.k, marrin shërbim afro 400 pacientë, rreth 32% e totalit të pacientëve në vend. Kompania numëron 120 punonjës si staf mjekësor dhe mbështetës. 

Investimi i kryer dhe cilësia e shërbimit ofruar nga DiaVita sh.p.k përgjatë këtyre viteve, tërhoqi vëmendjen e kompanisë prestigjioze Diaverum, një ndër kompanitë më të mëdha në botë në këtë sektor, e cila vendosi të blejë Diavita në vitin 2019. E themeluar në vitin 1991, kompania me qendër në Suedi ka një prezencë në 24 shtete të ndryshme në Evropë, Amerikën Latine, Afrikë dhe Azi, dhe është e profilizuar vetëm në përkujdesin renal. 

Aktualisht 14.000 punonjës të Diaverum International AB përkujdesen për 41.000 pacientë në mbi 469 klinika dialize në mbarë botën. 

Dimitris Moulavasilis, CEO i Diaverum, komentoi mbi këtë blerje; "Jam shumë i kënaqur të njoftoj hyrjen tonë në tregun shqiptar. Pasqyron strategjinë tonë për t'u zgjeruar në tregje të reja dhe për të ofruar shërbime të kujdesit renal që përmirësojnë jetën për pacientët e dializës në të gjithë globin. Ne presim të zbatojmë misionin tonë për të përmirësuar jetën e pacientëve tanë në Shqipëri, si nëpërmjet kujdesit renal, ashtu edhe nëpërmjet zgjerimit të shërbimeve të reja, si kujdesi parandalues dhe programet edukative”.