Kam lindur në një qytet të vogël dhe jam martuar në moshë të re.

Në rininë time kam qenë një nxënëse e shkëlqyer dhe një adhuruese e sportit, duke mbajtur një medalje në kampionatin kombëtar në lojën e ping-pong-ut. Jam përpjekur t’ia dedikoj gjithë jetën familjes sime, duke rritur dy djem të mrekullueshëm. Gjithsesi, ëndrrën time për t'u bërë një infermiere, nuk e lashë kurrë mënjanë. 

Gjashtë vjet më parë, pasi djemtë e mi ishin të rritur mjaftueshëm; dukej se po më afrohej mundësia e artë. Edhe pse me pak hezitim nga familja, por me dëshirën time të fortë për të pasur një punë jashtë shtëpisë, fillova punën time të parë, si sanitare në dializë. Nuk e kisha idenë se si ishte të punoje në dializë, thjesht më duhej ajo punë në atë moment. 

Në fillim ishte e vështirë të përballoje historitë dhe situatat e vështira nga vinin pacientët, merrja me vete në shtëpi gjithë ngarkesën emotive. Gradualisht mësova si të jem më e shkëputur dhe profesionale, dhe me një zemër të ngrohtë për t'u kujdesur për pacientët tanë. Kolegët e klinikës dhe ekipi drejtues ishin mbështetësit e mi më të mirë që mund të kisha imagjinuar. Brenda pak kohësh u promovova si ndihmës infermiere. Në bashkëpunim me ekipin e klinikës së Vlorës, u përpoqa të isha e shkëlqyer, duke mësuar sa më shumë. Duke qenë më afër profesionit të infermierit, ëndrra ime filloi të zgjohet.  

Rrjedhimisht, dy vjet më parë, fillova studimet e larta në fakultetin e Infermierisë dhe do të diplomohem vitin e ardhshëm. Do të jetë kënaqësi dhe privilegj që në të ardhmen e afërt do t'i bashkohem ekipit infermieror Diaverum. 

Diaverum, një kompani që kujdeset për njerëzit e saj, e gjeta në një moment shumë të vështirë të jetës sime. Ndjenja ime e pashtershme për t’u zhvilluar përshtatet me Kulturën e Përkujdesit të Vërtetë të Diaverum; Kompetencë, Pasion dhe Frymëzim. Absolutisht e dua atë që bëj dhe vazhdimisht kërkoj të bëj më shumë nga sa kërkohet. Të shoh veten të punoj si infermiere do të jetë fitorja ime, për momentin. E ardhmja do të më sjellë sfida edhe më të mëdha. 

Realisht, ndiej se jam pjesa thelbësore e ekipit tim dhe besoj vërtet se "Ne nuk jemi një ekip sepse punojmë së bashku". Ne jemi një ekip sepse respektojmë, besojmë dhe kujdesemi për njëri-tjetrin”. – Vala Afshar