A nuk është jeta e mrekullueshme? Do të doja ta nisja kështu pasi mendoj se jam njeri shumë me fat.  

Po ju shkruaj nga një vend i mrekullueshëm dhe i qetë. Ndodhem në Detin e Zi, në Izrael, me pamje nga malet e Jordanisë. Gjithçka është e heshtur dhe paqësore, dhe nën magjinë e kësaj ndjenje do të doja t’ju tregoja më shumë rreth aventurës sime. Dua t’ju tregoj se si një pacient me sëmundje të veshkave mund të bëjë një jetë të kënaqshme.  

I kam shumë të qarta kujtimet kur nisa dializën. Ishte data 19 prill 2017. Shkova në sallën e operacionit për të vendosur kateterin, dhe menjëherë më pas, nisa dializën. Ishte një trajtim që zgjati tre orë. Në atë kohë nuk flisja shumë rreth kësaj, pasi isha në fazën e mohimit. Nuk ishte diçka e lehtë për t’u pranuar dhe mbaj mend që merrja në telefon familjarë e miq për t’i pyetur nëse ndonjëri kishte grup gjaku të përputhshëm me gjakun tim. Asnjë dhurues i përshtatshëm nuk u shfaq.  

Dhjetë ditë më vonë, lindi djali im Guilherme. Dashuria më e madhe e jetës sime ishte aty, në krahët e mi, dhe peshonte pak më shumë se 3 kg. Më kujtohet që mendova: tani unë zgjedh të jetoj për ty.  

Ato ishin dhjetë ditët që më duheshin për të kuptuar atë që duhej të kuptoja: Gjithçka. Si funksiononte gjithçka. E kështu, nisa të interesohem rreth sëmundjes dhe rreth vetë procesit të dializës. Në atë moment vendosa që sëmundja nuk do të ishte më e fortë se unë, dhe prandaj dua të ndaj me ju katër hapat që hodha për të arritur këtu ku jam sot: më i lumtur se kurrë, dhe duke jetuar ëndrrën e gjithë jetës sime.  

Hapi i parë – Eliminimi i të gjitha qëndrimeve që nuk janë të mira për ne  

Raporti im mjekësor pretendonte se kisha një humbje të kapacitetit prej 71.4%. Trupi im ishte aq i lodhur pas trajtimeve saqë të nesërmen e kaloja duke fjetur ose duke pushuar. E gjeja veten duke u parë në pasqyrë dhe duke ndjerë keqardhje për veten. Isha vetëm 28 vjeç dhe prisja një të ardhme ku nuk do të punoja më kurrë, duke kaluar gjithë kohën time i lidhur pas një makine.  

Shpesh mendimi ynë i parë është: Si do të më shikojnë të tjerët tani? Këto janë fjalët që përpunon truri dhe që na bëjnë të ankohemi për gjithçka me këdo që ndodhet pranë nesh. Këto fjalë, për një çast, na bëjnë të besojmë se askush nuk do të na dojë më. Në atë moment humbasim të kuptuarit e vlerës sonë të vërtetë. Këtu mendoj se zhvillohet beteja e parë: eliminimi i qëndrimeve që nuk janë të mira për ne. Për mua ishte shumë e rëndësishme të nisja të kuptoja sëmundjen dhe trajtimin, në mënyrë që të përpunoja mendërisht faktin se është ky proces, trajtimi, që më lejon të jem gjallë.  

Ne mund të jemi vërtet të lumtur vetëm në momentin kur kuptojmë se dializa nuk është diçka e keqe. Përkundrazi, jemi me fat që ekzistojnë këto trajtime, që na lejojnë të vazhdojmë jetën me të dashurit tanë dhe të vazhdojmë të bëjmë gjërat që na pëlqejnë. Sapo të kemi kuptuar këtë, mund të hedhim hapin e radhës. Tani jam më shumë mirënjohës për të gjitha gjërat e mira në jetën time dhe kam reshtur së humburi kohë duke u ankuar dhe duke rënkuar.  

Hapi i dytë – Njohja e kapaciteteve tona 

Për çfarë jam i mirë unë? Çfarë më pëlqen të bëj në të vërtetë? Në shkurt të vitit 2017 kisha hapur një shoqëri turistike, dhe për herë të parë në jetën time isha i vetëpunësuar. Kjo nuk ishte aspak diçka që kisha planifikuar por thjesht diçka që ndodhi. Kisha investuar shumë para për të ndjekur diçka që vërtet më pëlqente ta bëja.  

“Po nëse jam i lodhur pas çdo trajtimi dialize a do të mundem të punoj?” Frika për të ardhmen më bëri të kem kërkesa të larta ndaj vetes. Po kërkoja më shumë nga sa kisha mundësi të bëja. Duhet t’jua them: jetoja në një gjendje pakënaqësie konstante sepse nuk isha i aftë të arrija qëllimet që i kisha vënë vetes. Nuk ishte një proces i thjeshtë, por nisa të kuptoj se rruga më e thjeshtë para do të ishte vendosja e objektivave të qartë dhe të arritshëm.  

Së pari, u përpoqa të kuptoja cilat ishin cilësitë e mia, si profesionist. Pastaj, pranova se do të vinin edhe ditë kur do të ndihesha i frustruar. Mësova të ul pritshmëritë e mia, kur paraprakisht e dija se për mua do të ishte më e vështirë të arrija qëllimet e mia. Që nga ai moment e më pas, gjithçka ndryshoi. Vendosa që ditët kur do të bëja dializën do të ishin ditë pushimi për mua, dhe se ditët pa trajtim do të ishin ditët e mia “më të mira”, kur do të më duhej të punoja dy herë më fort për të kompensuar ditët që kisha “humbur” duke pushuar. Kjo më bëri të ndjehesha i mbushur me energji. Shkoja në punë me ndjenjën e një qëllimi, dhe i trajtoja klientët e mi me një frymë të rigjallëruar. Rezultati: shitjet u rritën. Qëllimet që kisha vendosur për suksesin e shoqërisë sime nisën të jepnin fryte dhe gjithçka shkonte shumë më mirë.  

Është shumë e rëndësishme ta lejojmë veten të përshtatet me realitetin, me qëllim që të jetojmë jetë të lumtura dhe të jemi të aftë të përballemi me gjithçka na sjell dita.  

Hapi i tretë – Përqendrimi tek e tashmja  

Shumë prej nesh bëjnë plane për të ardhmen. Kjo është shumë normale dhe e arsyeshme. Gjithsesi, nuk duhet të harrojmë se jetët tona po zhvillohen tani. Planet që kemi bërë duhet t’i shikojmë me një sy më të freskët, me qëllim që të mos biem në kurthin e dështimit. Kjo mund të na çojë edhe një herë tjetër drejt mohimit. Përqendrimi në të tashmen i jep rëndësi çdo sekonde të secilës ditë dhe kështu nuk humbasim orët (dhe ditët) të mërzitur me veten dhe me të tjerët përreth nesh. Nëse përqendrohemi në të tashmen, dhe kujtohemi se jeta po ndodh tani, do të shijojmë çdo fitore kur të arrijmë një qëllim që kishim vendosur. Si rrjedhojë, do të ndjehemi më të lumtur. Mendimi se “Jam i mirë në atë që bëj” na jep një ndjenjë mirëqenieje dhe dashurie, madje edhe në veprimet më të thjeshta të jetës sonë të përditshme.  

Hapi i katërt – Pranimi i vetes, dështimi, të nxënit nga gabimet tona dhe të qenit gjithmonë mirënjohës  

Pranimi i vetes na lejon të shikojmë se si mund të nisim nga fillimi. Kjo është edhe dializa: një rifillim. Jeta duhet të ndryshohet për të përfshirë atë që na mban gjallë. Çlirimi nga ndjenja e inferioritetit që vjen nga krahasimi i vetes me të tjerët që nuk u duhet të kalojnë të njëjtat gjëra dhe çlirimi nga ideja se “na duhet të kalojmë kohë të lidhur në një makinë” është një hap drejt trajtimit më mirë të vetes sonë. Të vepruarit kështu mund të ketë një ndikim shumë të madh si në punë ashtu edhe në familje apo në situatat e jetës së përditshme, si për shembull të drejtojmë makinën në një rrugë me trafik të ngarkuar. Për shkak se koha në trajtim zë një pjesë të kohës sonë të lirë, duhet të shfrytëzojmë kohën kur nuk jemi në trajtim dhe ta jetojmë me intensitet 200%! 

Të jetosh do të thotë edhe të gabosh, por edhe të përmirësohesh përmes gabimeve. Të gjithë ne duhet të shfrytëzojmë në maksimum kufizimet tona, për t’u bërë njerëz më të mirë dhe për të frymëzuar njerëzit e tjerë përmes dhënies së një shembulli. Kjo është më mirë se sa mendimi se kemi të drejtë të ankohemi rreth gjithçkaje përreth nesh, vetëm sepse ndjejmë se vlejmë më pak se të tjerët. Nuk vlejmë më pak se të tjerët!  

Mirënjohja është ndjenja më e mirë që mund të ketë dikush, si për gjërat e lehta ashtu edhe për gjërat që ishin të vështira për t’u arritur dhe që na u desh të luftonim për to. Duke qenë mirënjohës po i themi vetes: jam fitimtar dhe kjo sëmundje nuk do të jetë personazhi kryesor në jetën time.  

Kështu ndihem tani: Unë jam fitimtar. A dëshiron të jesh edhe ti fitimtar?