Pse shfaqet insuficienca e veshkës, dhe çfarë ndodh?  

Funksioni i veshkës mund të bjerë për shumë arsye të ndryshme. Dy nga më të zakonshmet janë diabeti dhe presioni i lartë i gjakut. Detajet do t’i shikojmë më poshtë.  

Nëse ndodh insuficienca e veshkës (që përcaktohet kur funksioni i veshkave reduktohet në 15% të normales apo më pak), do të prodhoni më pak ose aspak urinë, dhe nuk do të keni një largim efikas të lëndëve të tepërta nga trupi. Këto lëndë të tepërta, si dhe uji i tepërt, grumbullohen në sistemin e qarkullimit të gjakut (uremia), dhe mund të vini re ënjtje të gjymtyrëve (edema) dhe vështirësi në frymëmarrje. Presioni i gjakut mund të rritet, dhe mund të mos prodhoni më mjaftueshëm rruaza të kuqe të gjakut. Mund të ndjeni lodhje, të përziera dhe humbje oreksi.  

Nëse ndodh insuficienca e veshkës, trajtimi është thelbësor, qoftë me anë të dializës apo me anë të transplantit. Nëse nuk diagnostikohet dhe nuk trajtohet, sëmundja e veshkës mund të shkaktojë kriza (kolika renale), mund të çojë në gjendje kome (humbje të vetëdijes) dhe në fund mund të shkaktojë edhe vdekjen.  
 
Diabeti 
Diabeti shfaqet në dy forma kryesore, me shkaqe të ndryshme, por që të dyja format mund të shkaktojnë insuficiencë të veshkës. Në diabetin e tipit 1 trupi nuk prodhon mjaftueshëm insulinë për të kontrolluar sheqerin në gjak. Në diabetin e tipit 2, trupi nuk arrin ta përdorë në mënyrë efikase insulinën e prodhuar. Diabeti i pakontrolluar lejon grumbullimin e sheqerit në gjak, duke dëmtuar kështu enët e gjakut brenda veshkave dhe duke reduktuar efikasitetin e tyre. Shumë persona që vuajnë nga diabeti pësojnë edhe rritje të presionit të gjakut, që mund të jetë shkak për dëmtimin e veshkës. Megjithëse trajtimi i diabetit është përmirësuar, shumë njerëz me diabet vazhdojnë të pësojnë dëmtim të veshkave.  

Presioni lartë i gjakut/hipertensioni  
Presioni i lartë i gjakut shfaqet kur presioni që gjaku ushtron në enët e gjakut rritet mbi vlerat normale. Kjo mund të dëmtojë enët e vogla të gjakut në veshka duke i penguar ato të kryejnë siç duhet procesin e filtrimit. Arsyet përse ndodh presioni i lartë i gjakut nuk janë gjithmonë të njohura, por shpesh lidhen me probleme të tjera shëndetësore, me një dietë të varfër ose me një stil jetese të pashëndetshëm ku, për shembull, mund të përfshihen ushtrimet e pakta fizike dhe mbipesha.  

Inflamacioni i Veshkës (glomerulonefriti) 
Sëmundja e veshkës është e zakonshme nëse njësitë filtruese të veshkës, nefronet, pësojnë inflamacion. Kjo mund të shkaktojë prodhimin e sasive më të pakta të urinës, kalimin e gjakut dhe proteinave në urinë, dhe ënjtje të gjymtyrëve.  

Shkaqe të tjera të insuficiencës së veshkës  
Sëmundja e veshkës policistike është një problem shëndetësor i trashëguar gjatë së cilës në veshkë krijohen ciste të mëdha, duke shkaktuar insuficiencën e saj.  
 
Gjithçka që pengon rrjedhjen e urinës jashtë trupit tuaj, mund të shkaktojë kthimin e saj pas në veshka, duke i dëmtuar ato. Pengesa të tilla mund të shkaktohen nga: ngushtimi i uretrës që shpesh zhvillohet para lindjes, gurët në veshka, tumoret apo zmadhimi i gjendrës së prostatës te meshkujt. Infeksionet urinare të përsëritura gjithashtu mund të shkaktojnë insuficiencë të veshkës. 

Shkaqe të panjohura  
Në rreth 20 për qind të të gjithë njerëzve që kanë nevojë për dializë, shkaku i insuficiencës së veshkës nuk është zbuluar kurrë. Pacientë të tillë shpesh vijnë për trajtim për herë të parë kur gjenden në një fazë shumë të avancuar të insuficiencës së veshkës dhe është e vështirë të përcaktohet shkaku i sëmundjes së tyre.  

Trajtimi i insuficiencës së veshkës  
Trajtimi më i zakonshëm që u ofrohet pacientëve në Diaverum është dializa. Për të ndihmuar në lehtësimin e ankthit të kuptueshëm që mund t’ju shkaktohet nga ky trajtim jetëshpëtues, ju ndihmojmë të përgatiteni mirë që më parë, për t’u siguruar se jeni fizikisht, mendërisht dhe emocionalisht gati.   

Ekipi mjekësor do t’ju shpjegojë llojet dhe opsionet e ndryshme të dializës dhe do t’ju ndihmojë të merrni vendimin e duhur për nevojat tuaja personale dhe mjekësore. Është shumë e zakontë të përgatiteni njëkohësisht edhe për dializën edhe për transplantin e veshkës.

Përmbajtje të ngjashme

Informacione rreth veshkave
Detyrat kryesore të veshkave tuaja janë filtrimi i substancave të tepërta dhe balancimi i niveleve të kripërave dhe ujit në trupin tuaj.
A mund ta parandaloni SRK-në?
Sëmundja renale kronike është një çrregullim i rëndë që ka ardhur duke u shtuar në të gjithë botën.
Stadet e SRK-së
Sëmundja renle kronike, SRV, shfaqet kur vuani nga humbja e funksionit të veshkave me kalimin e kohës.