Shpresoj që historia ime të ndihmojë dhe inkurajojë punonjës të tjerë që ndodhen në të njëjtin pozicion siç isha unë, si dhe këdo që pret të realizojë ëndrrën e vet. Ëndrrat bëhen realitet! 

Unë isha një infermiere e licensuar në Filipine përpara se të vija në Angli me vizë studentore për t’u kualifikuar si infermiere në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 2010. I përfundova studimet në Bachelor në Shkenca për Infermieri në Universitetin e Hertfordshire në vitin 2012, ndërkohë që punoja si kujdestare në qendrat e kujdesit dhe ato rezidenciale.  

Punova në industrinë e përkujdesjes për rreth 5 vjet. Në vitin 2015, iu përgjigja një shpalljeje për punë nga Diaverum UK për pozicionin e Asistentit të Kujdesit Shëndetësor, por bazuar në përvojën time në infermieri, m’u ofrua një pozicion si Asistente Dialize [AD]. Megjithëse isha e lumtur në pozicionin si AD, faktikisht dëshiroja të kisha një rol plotësisht infermierie. Megjithatë, për shkak të rregullave të rrepta në atë kohë të përcaktuara nga Këshilli i Mbretërisë së Bashkuar për Infermierinë dhe Maminë (NMC) për infermierët e trajnuar në vende të tjera, m’u desh ta lija përkohësisht pas aspiratën time për t’u bërë infermiere e licensuar në Mbretërinë e Bashkuar. Deri kur...? Nuk e dija! 

Në vitin 2017 pata një fije shprese, kur NMC-ja prezantoi rregulla të reja për infermierët e trajnuar jashtë. Megjithatë, ende ngurroja. Për fat të mirë, një kolege e nivelit të lartë gjeti kohën për të diskutuar mundësitë e disponueshme me mua, duke përfshirë dhe mënyrën se si Diaverum do të më mbështeste nëse vendosja që të kryeja aplikimin. Duke ditur këtë, fillova procesin për përmbushjen e të gjitha kërkesave të përcaktuara nga NMC-ja, pavarësisht jetës së ngarkuar dhe të vrullshme duke qenë nënë me dy fëmijë dhe në punë. Jam e lumtur të them se i kalova të gjitha vlerësimet me sukses.  

Pasi kalova provimet e para, përjetova muajt më të këqij të jetës sime për shkak të problemeve shëndetësore dhe familjare, sfidave financiare dhe problemeve me emigracionin. Hasa probleme dhe pengesa ngado, çka bëri që më pas ta lija Mbretërinë e Bashkuar dhe të kthehesha sërish në Filipine. Ishte një periudhë e errët, por besimi në Zot ma mbajti shpresën gjallë teksa prisja të ndodhte mrekullia.  

Në nëntor të vitit 2018, mora një ‘Letër Vendimi’ nga NMC-ja, që bëri të mundur që Diaverum të më mbështeste për t’u rikthyer në Mbretërinë e Bashkuar. Ky ishte një fillim i ri për fëmijët e mi dhe mua. Kur u riktheva, u përgatita dhe dhashë provimet kualifikuese të fazës së fundit të NMC-së dhe mora me sukses PIN nga NMC-ja, që konfirmonte kualifikimin tim për të punuar si infermiere e licensuar në Mbretërinë e Bashkuar.  

U desh një kohë e gjatë që karriera ime të fillonte, por jam e bindur se gjithçka ndodh në kohën e vet të duhur. Nuk kam qenë asnjëherë kaq e ngazëllyer për të punuar. Është një ndjesi e jashtëzakonshme. Ëndrra ime për të punuar si infermiere në Mbretërinë e Bashkuar tashmë është realitet.  

Punova fort për gjithçka që kam arritur, por asnjëra nga këto nuk do të kishte qenë e mundur pa ndihmën e jashtëzakonshme dhe mbështetjen e personave si vijon: 

Së pari, i jam mirënjohëse Diaverum-it për besimin dhe sigurinë tek unë dhe për të gjithë mbështetjen e ofruar në përpunimin e rikthimit tim në Mbretërinë e Bashkuar. Ndaj menaxherëve në klinikën në Eastbourne: faleminderit që besuat tek unë dhe që më ndihmuat gjatë gjithë kohës. Miqve dhe kolegëve të mi, ju falënderoj shumë për fjalët frymëzuese dhe që jeni familja ime në Mbretërinë e Bashkuar.  

Personit që pa bukuri dhe shpresë tek unë në kohët e mia më të errëta, maraming salamat [“faleminderit shumë”]. Dhe më e rëndësishmja, faleminderit familjes sime, veçanërisht fëmijëve të mi, që më mbajtën gjallë dhe me mendje të shëndoshë. Nuk do kisha mundur t’i arrija të gjitha këto vetëm.  

Për personat që janë kualifikuar në vendet e tyre dhe që dëshirojnë të bëhen infermierë të licensuar diku tjetër, apo ata që dëshirojnë të ndjekin ëndrrat e tyre sekrete, mund të konfirmoj që nuk është asnjëherë vonë për të hedhur hapin e parë. Çdo gjë është e mundur. Përmbusheni qëllimin tuaj. Udhëtimi më i gjatë nis me një hap të vetëm. Hidheni atë hap.